Koha e Ardhshme 00:00

Vendosmëria dhe stabiliteti

Vendosmëria dhe stabiliteti

Rruga e ndryshimit nuk është rrugë e lehtë. Ajo është e shtruar me sfida, vështirësi dhe probleme të shumta. Ajo i ngjan gacës së zjarrit që nuk mund të mbahet dot në dorë. Dhe, kështu është rregulli: në këtë rrugë patjetër se do të sprovohesh. Allahun ka thënë: “Elif, Lamë, Mimë. (1) A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” (2) Ne i sprovuam ata që shin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën do t’i dallojë dhe gënjeshtarët.” [El-Ankebut: 1-3]

Andaj, na duhet bindje e fortë, vendosmëri dhe guxim: “Thuaj: kam besuar në Allahun dhe më pas qëndro i fuqishëm (në këtë rrugë)!”[1] Për ta bërë këtë,  na duhen mjete, disa prej të cilave janë edhe si në vijim:

  1. Duro sepse durimi është çelës i suksesit në këtë rrugë. Allahu ka thënë: “Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojmë, pasi që ata (që i bëmë prijës) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur.” [Es-Sexhdeh: 24] Pra, tipar i të udhëzuarve është durimi.
  2. Mbështetja në Allahun, siç na ka mësuar Allahu: “…Kështu, kush i mbështetet All-llahut, Ai i mjafton atij,…” [Et-Talak: 3]
  3. Përkujtimi i Allahut, dhikri, i cili për besimtarin është sikur një kala në të cilën strehohet. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Përmbaju dhikrit, sepse ai i ngjan shembullit të njeriut të cilit armiku i është qepur pas derisa të hyjë në një kala ku e mbron veten…”[2]
  4. Lute Allahun të të përforcojë sepse zemrat janë labile dhe ndryshojnë nga momenti në moment.
  5. Përmbaju mësimeve fetare sepse ato janë zgjidhja më e mirë për ne dhe mjeti më përforcues në rrugën e drejtë. Allahu ka thënë: “All-llahu forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote e edhe në botën tjetër, ndërsa mizorët All-llahu i bën të humbur. All-llahu punon çka të dojë.” [Ibrahim: 27] “…Po sikur të zbatonin atë që këshilloheshin do të ishte më mirë për ta dhe do t’i përforconte më shumë.” [En-Nisa: 66]
  6. Përmbaju kryerjes me rregull të adhurimeve, veçmas namazit, i cili të largon nga të këqijat. Allahu ka thënë: “…fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat,…” [El-Ankebut: 45]
  7. Fal namaz fakultativ sepse ai të sjell dashurinë e Allahut fillimisht e pastaj, si shpërblim prej Allahut, edhe dashurinë e njerëzve.[3]

Porosia: “Thuaj: kam besuar në Allahun dhe më pas qëndro i fuqishëm (në këtë rrugë)!”[4]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Transmeton Muslimi.
[2] Transmeton Tirmidhiu.
[3] Hadithi i transmetuar nga Buhariu: “Robi vazhdon të më afrohet me adhurime fakultative derisa ta dua…”
[4] Transmeton Muslimi.