Koha e Ardhshme 00:00

Urdhëroje familjen tënde që të falin namazin

Dita e tetëmbëdhjetë e Ramazanit

 

Ajet kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim (rizk): jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut. (Kurani, 20:132)

 

Thënie profetike

I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ ka thënë:

“Urdhëroni fëmijët tuaj të falin namazin kur t’i mbushin shtatë vjet…”

[E shënojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ahmedi.]

Urtësi

Kurtubiu, lidhur me ajetin e mësipërm, thoshte:

“Thënia ‘Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim (rizk)’ domethënë: Ne nuk kërkojmë nga ti ta furnizosh as veten e as familjen tënde e ta lësh namazin për shkak të kërkimit të rizkut (furnizimit, ushqimit), ngaqë Ne (Allahu) e kemi marrë përsipër furnizimin tënd dhe të atyre.”

Më duhet ta mbaj familjen, s’mund të falem (!)

Allahu është Ai që të furnizon ty dhe familjen tënde, madje çdo dhunti që e kemi është nga Allahu, andaj duhet ta falënderojmë për këtë. Pos kësaj, namazi është prej shkaqeve të shtimit të rizkut dhe asnjëherë nuk e pakon atë.

Këshillë

Urdhëroje familjen tënde që të falin namazin! Nëse të kundërshtojnë mos u dëshpëro kurrsesi, por vazhdo t’i thërrasësh në namaz me urtësi dhe lute Allahun gjithnjë për udhëzimin e tyre.

 

Përgatitur nga:  Hoxhë Jusuf Kastrati /30ditët/