Koha e Ardhshme 00:00

Syno shpërblimin e Zotit, jo falënderimin e njerëzve

Syno shpërblimin e Zotit, jo falënderimin e njerëzve

Bamirësia ndaj njerëzve është mënyrë e mirë për tua përfituar zemrat atyre por ndonjëherë ajo mund të ketë edhe efekte negative. Respektivisht, dikush mund të ngelë i lënduar shpirtërisht.  Kjo ndodhë kur ne iu japim dhe ua përmendim duke i bërë të turpëruar para të tjerëve. Natyrisht, me këtë ne kemi dëmtuar fillimisht veten tonë e pastaj të tjerët. Allahu na ka tërhequr vërejtjen që të mos veprojmë kështu ngase kështu shkatërrohet vepra. “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që ia jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, e nuk beson All-llahun dhe botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar mbi të cilin ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan…”  [El-Bekare: 264] Që të përfitojmë nga lëmosha duhet ta japim sinqerisht për hir të Allahut: “Ata që për hir të All-llahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet të Zoti i tyre, për ta nuk ka frikë, ata as që do të brengosen.” [El-Bekare: 262] Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] na porosiste që kur të japim, ta japim fshehtë, e në mënyrë figurative, ‘…të mos e dijë dora e majtë për të djathtën se çfarë ka dhënë.’[1]

Nga këtu, në raportet tona me të tjerët, kriter duhet të kemi shpërblimin e Allahut, jo falënderimin e njerëzve. Allahu i ka përmendur në Kur’an besimtarët e sinqertë të cilët kur iu japin ushqim të tjerëve thonë: “Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim.” [El-Insan: 9]

Çdo kriter tjetër i bamirësisë ndaj njerëzve zhvleftëson atë. Për këtë shkak, Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] na ka porositur: “Mbajtësi i lidhjeve familjare/farefisnore nuk është kompensues…”[2] Pra, nuk i shkon atij që i ka ardhur, ose nuk e bojkoton atë që e ka bojkotuar. Ai kërkon shpërblimin e Allahut dhe në kërkim të tij nuk ndalet së vepruari mirë, madje edhe ndaj atyre që janë sjellë keq me të. Disa dijetarë muslimanë janë kujdesur aq shumë në këtë aspekt saqë kanë thënë se kur t’i japësh dikujt diç, mos i thuaj: ‘Lute Allahun për mua!’, sepse kështu të humb shpërblimi.[3]

Porosia: Kur të bësh mirë, bëje për Allah!

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

Video e realizuar nga: Albunion Media

[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] Transmeton Buhariu.
[3] Kjo thënie i atribuohet Ibn Tejmijes ndërsa dihet qëndrimi i tij urryes sa i përket meseles së kërkimit të lutjes nga tjetri. Shih: Mexhmu-u-l-fetava, 1/181-193 dhe Fetava el-Lexhneti ed-daimeh, 24/261.