Koha e Ardhshme 00:00

Shkëputja me të kaluarën

Shkëputja me të kaluarën

Gjëja e parë që duhet të bëjmë në ndryshimin e veprave është të largohemi nga të këqijat. Ndryshimi është një transformim i cili kërkon shkëputje nga e keqja, shpirtërisht dhe fizikisht. E kaluara e keqe nuk duhet të ngelë nostalgji, përkundrazi. E keqja duhet urryer. Për këtë shkak kushte kryesore të pendimit janë braktisja e menjëhershme e mëkatit, urrejtja e tij dhe vendosmëria për të mos iu kthyer më atij. Pra, divorc i përjetshëm me të keqen.  Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Keqardhja është pendim.”[1]

Për ta realizuar këtë pikë ndryshimi, pikënisja duhet të shënohet me:

1) Pendimi i menjëhershëm

Allahu na mëson: “Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetës së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kushi i falë mëkatet përveç All-llahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në ata që kanë punuar (në të keqen).” [Ali Imran: 135]

Pra, mëkati nuk është imazh i besimtarit. Për këtë shkak, Allahu kërkon që pendimi të mos shtyhet pas dijes se ajo që kemi bërë është mëkat, ndryshe pendimi jonë është në pikëpyetje. “Pendim i pranueshëm te All-llahu është vetëm ai i atyre që kur bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen; të tillëve All-llahu ju pranon pendimin, se All-llahu është më i dijshmi, më i urti.” [En-Nisa: 17]

Më pas:

2) Shkëput lidhjet me të keqen

Njerëzit i kthehen të keqes atëherë kur ndarja nuk është e plotë me të. Respektivisht, kur ngelin rrugë dhe dyer të pambyllura ndërmjet tyre. Një nga këto dyer është edhe shoqëria e keqe. Për këtë shkak, feja na ka porositur që të jemi të kujdesshëm me shoqërinë.

Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote…” [El-Kehf: 28]; “Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njeri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi.” [Ez-Zuhruf: 67]

Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Njeriu është sipas fesë së shokut të vet, andaj shikoni se kë po e zini për shok!”[2]

Si pika tjera me rëndësi gjatë këtij procesi janë:

3) Angazhimi me diç të mirë

Nuk do të mund të transformohesh nëse nuk ndryshon edhe veprat. Nëse më parë e ke kaluar kohën kot ose duke bërë diç të padobishme, tani menaxhoje kohën: lexo Kur’an, fal namaz, merru me punë/fitim, vizito të afërmit, etj.

4) Mbikëqyrja e procesit të ndryshimit

Që të sigurohemi se ndryshimi po ndodhë në përputhje me fenë, na duhet ta kemi nën kontrolle tërë procesin e ndryshimit. Hasan Basriu, duke iu referuar ajetit “Betohem në shpirtin që është shumë qortues!” [El-Kijameh: 2], jep këtë shpjegim: “Besimtarin nuk do të mund ta gjesh ndryshe vetëm se duke qortuar veten: Çfarë desha me këtë fjalë që e thashë, çfarë desha me këtë ushqim që e ngrëna, çfarë desha me këtë mendim…? Nuk do të mund ta shohësh ndryshe vetëm se duke e qortuar veten. Ndërsa mëkatari vazhdon (me mëkate) pa e qortuar veten kurrë.”[3]

5) Lute Allahun

Pa ndihmën e Allahut nuk mund të bësh as edhe një hap, andaj lute që të të forcojë në këtë rrugë!

Porosia: Urreje të keqen, nuk do t’i kthehesh kurrë!/30ditet/

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami 

[1] Transmetojnë Ibn Maxheh dhe Imam Ahmedi ndërsa Albani në Sahihu-l-xhamii, nr. 6802, e ka klasifikuar si autentik.
[2] Hadithin e transmeton Imam Ahmedi në Musned ndërsa Ahmed Shakiri e konsideron autentik. Albani në disa prej punimeve të tij e konsideron hasen.
[3] Imam Ahmedi, Ez-Zuhdu, fq. 228.