Koha e Ardhshme 00:00

Shkëmbimi i vizitave dhe dhuratave

Shkëmbimi i vizitave dhe dhuratave

Që raportet tona me njerëzit të jenë të qëndrueshme, duhet të shkëmbejmë vizita dhe dhurata. Vizita është obligim fetar karshi vëllezërve ndërsa dhurata është mënyrë e kultivimit të dashurisë ndërmjet vete. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: ‘Obligimet e besimtarit ndaj besimtarit janë pesë: …vizitimi i të sëmurit… ’[1] Po kështu ka thënë: ‘Shkëmbeni dhurata që të duheni!’[2] Se sa rëndësi të madhe ka dhurata flet edhe fakti se i Dërguari i Allahut e pranonte atë ndërsa refuzonte lëmoshën. Ibn Abdul Berr kur e shpjegon këtë thotë se e ka pranuar dhuratën ngaqë me të synohet afrimi i zemrave dhe përfitimi i tyre. Për këtë shkak, Profeti [Paqja qoftë mbi të!] e pranonte dhuratën dhe e kompensonte atë edhe me dhuratë më të mirë.[3]

Vizita dhe dhurata janë simbolika të shprehjes së dashurisë por edhe të forcimit të lidhjeve. Duke qenë se, si vepra, janë të motivuara nga feja, atëherë për to ka shpërblim të madh. Allahu i do ata që duhen për hir të Tij, që qëndrojnë bashkë për hir të Tij dhe që vizitojnë njëri tjetrin për hir të Tij.[4] Muhammed bin Munkedirin e pyetën për të mirën që ka ngelë ende në këtë jetë, tha: ‘Takimi me vëllezërit dhe mbushja e zemrave të tyre me gëzim.

Kur Imam Ahmedi u sëmur, Imam Shafiu i shkoi për vizitë. Nga dhembja që përjetoi kur e pa të shtrirë Imamin, u sëmurë edhe vet. Me të dëgjuar të këtij lajmi, Imam Ahmedi u ngrit disi në këmbë dhe shkoi ta vizitonte Imam Shafiun. Kur ky i fundit e pa, nga gëzimi i madh recitoi këtë varg:

U sëmur i dashuri, për vizitë i shkova

nga keqardhja për të, veten e dëmtova

U shërua i dashuri, erdhi të më vizitojë

Nga shikimi i tij sëmundja më kaloi

Vizita ka rëndësi të madhe sepse ndikon në forcimin e besimit dhe kultivimin e përgjegjësisë para Allahut. Vizita i ‘…bën bashkë njerëzit, harrestarin e bën të kujtojë, të shkujdesurin të vetëdijesohet, injorantin e mëson…’[5] Umeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] thoshte: ‘Njeriut nuk i është dhënë begati më e madhe pas fesë se një vëlla i mirë. Kështu, nëse keni vëlla të mirë, ruajeni me xhelozi!’ Nga kjo perspektivë, vizitën me vëllezërit e shihnin më të dobishme se qëndrimin me familje. Hasan Basriu thoshte: ‘Më shumë i duam vëllezërit se familjen, sepse vëllezërit na e kujtojnë ahiretin ndërsa familja dynjanë.’
Duke qenë se vizitat dhe dhurata janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, ai që e viziton dikë, i bën një dhuratë, duhet të kemi parasysh edhe një gjë me rëndësi.

Dhurata jo detyrimisht nënkupton diç materiale. Dhuratë mund të jetë edhe thjesht vizita. Disa, në pamundësi të dërgimit të dhuratave, i shkëpusin lidhjet ndërmjet tyre. Fudajl bin Ijjadi ka thënë: “Njerëzit i shkëpusin lidhjet ndërmjet tyre për shkak të mbingarkesës -dërgimit të dhuratave që nuk ka mundësi materiale për to. Ndodhë dikush të planifikojë ta vizitojë vëllanë dhe ta mbingarkojë veten, kështu që kjo e bën të shkëput lidhjet me të.” [6]

Dhurata më e mirë është vizita. Në rrëfimin e besimtarit nga kohët e lashta që kishte marrë udhë për ta vizituar vëllanë, përmendet arsyeja e vizitës dhe qëllimi i saj ndërsa dhurata nuk përmendet fare për shkak të të qenit mjet dhe jo qëllim.

Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] na tregon: “Një njeri mori rrugë ta vizitonte të vëllanë në një vendbanim tjetër. Rrugës kah do të kalonte, Zoti dërgoi një engjëll, i cili e pyeti: Kah je nisur?- e pyeti. Tek një vëlla në këtë vendbanim- u përgjigj. A ke ndonjë interes që shpreson ta realizosh tek ai?- e pyeti. Jo, me përjashtim që unë e dua për Allah!- u përgjigj. Atëherë engjëlli e zbuloi veten dhe tha: 

Unë jam i dërguar prej Allahut tek ti që të tregoj se Allahu te do yt siç ti e do vëllanë tënd!”[7]

Kështu, mos të na pengojë mungesa e të mirave materiale për të vizituar vëllezërit. Një këshillë e mirë dhe një fjalë ngushëlluese mund të zgjidhin probleme, të lehtësojnë sëmundje, e të hapin zemra. Për këtë shkak, fjala e mirë është jo vetëm dhuratë, por edhe lëmoshë.

Porosia: ‘..nëse keni vëlla të mirë, ruajeni me xhelozi.’

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

Video e realizuar nga: Albunion Media

[1] E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] E transmeton Buhariu në Edebu-l-mufred ndërsa Albani e konsideron autentik.
[3] E transmeton Buhariu.
[4] Hadith autentik i shënuar në Muvettanë e Imam Malikut dhe Musnedin e Imam Ahmedit. Albani e ka saktësuar në Mishkat el-mesabih, 5011.
[5] Shih: Uthejmini, Sherhu Rijadi-s-Salihine, 3/243.
[6] Kut el-kulub, 3/209. Mbingarkesa ka këtë ekuacion: nuk kam çfarë t’i çojë kështu që nuk po e vizitoj fare. Natyrisht është gabim, sepse vet vizita është lëmosha më e mirë që i bëhet një të sëmuri.
[7] E transmeton Muslimi.