Ndrysho diskursin e veprave

Ndryshimi nuk ndodhë duke ndërruar emrin, pamjen, stilin. Nuk ndodhë madje as duke përvetësuar përkatës apo duke iu bashkëngjitur ndonjë grupi a lëvizje. Ky është ndryshim formal. Ndryshimi i vërtetë ndodhë atëherë kur ne ndryshojmë bindjet, sjelljet dhe veprat tona. Kjo d.t.th. se së pari duhet të ndryshojmë brendësinë, shpirtin, bindjet, besimin, konceptet tona. Kjo, po kështu, d.t.th. se ne duhet të mbështetmi tek vetvetja jonë, tek puna dhe angazhimi, ndryshe, pavarësisht se kush jemi dhe çfarë pozite kemi, asgjë nuk do të na bëjë dobi. I Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Kë e ngadalëson vepra, prejardhja nuk mund ta shtyjë përpara.”[1]

Kështu, atë që vepra nuk e ngrit në grada të njerëzve të mëdhenj, prejardhja nuk e bën, andaj edhe nuk duhet mbështetur në të.[2] Tek Allahu mbështetja është në vepra, jo në prejardhje:[3] “…s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)” [El-Huxhurat: 13]; “E kur i fryhet surit (herën e dytë), atëherë, në atë ditë nuk do të ketë lidhje familjare mes tyre e as që do të pyes kush për njëri-tjetrin.” [El-Mu’minune: 101]

Këtë parim islam, i Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!] ia mësoi familjes së tij para çdokujt tjetër, në mënyrë që të mos kalkulojnë në afërsinë biologjike me të sepse është kriter i refuzuar në Islam: “O kurejshë! Blini veten tuaj ngase unë nuk mund të bëjë asgjë për ju tek Allahu. O bijtë e Menafit! Unë nuk mund t’iu ndihmojë asgjë tek Allahu! O Abbas, i biri i Abdul Muttalibit! Unë nuk mund të bëjë asgjë për ty tek Allahu! Oj Safije, halla e të Dërguarit të Allahut! Unë nuk mund të bëjë asgjë për ty tek Allahu! Oj Fatime, vajza e Muhammedit, më kërko çfarë të duash nga pasuria ime (se të jap) por dije se tek Allahu nuk mund të bëjë asgjë për ty!”[4]

Pra, fakti që Muhammedi është i Dërguar i Allahut, nuk i jep të drejtën madje as vajzës së tij, që të mbështetet në këtë lidhje dhe ta braktis veprën. Ebu Lehebit nuk i bëri dobia lidhja biologjike me të Dërguarin. Allahu shpalli në Kur’an se, për shkak të mohimit, Ebu Lehebi do të jetë në ferr përgjithmonë.[5]

Kështu, le të fillojmë me ndryshimin e vetes sonë që tani. Të kujtojmë se neve na përket vetëm ajo që kemi punuar, andaj, të përvjelim mëngët dhe t’ia nisim pa u bërë vonë.

Porosia: Puno sepse “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër pos asaj që ka punuar!” [En-Nexh: 39]

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Transmeton Muslimi.
[2] Shih: Sherhu-n-Nevevi ala Sahihi Muslim, 17/22-23.
[3] Shih: Xhamiu-l-ulum ve-l-hikem, 3/1028.; Mirkatu-l-mefatih, 1/288.
[4] Buhariu dhe Muslimi.
[5] Kur’ani: El-Mesed: 1-5.