Ndryshimi kushton

Ndryshimi të cilin e mëtojmë nënkupton ndryshim thelbësor dhe gjithëpërfshirës. Kjo doemos kërkon angazhim maksimal dhe përkushtim serioz. Allahu ka premtuar se kush angazhohet në rrugën e tij, mundi do t’i shpaguhet. “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne, me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e besimtarëve.” [El-Ankebut: 69]

Ky angazhim dhe mund për shpërblim kanë udhëzimin në rrugën e drejtë, synim ky për të cilin po ndryshojmë.  Në komentim të ajetit të lartpërmendur është thënë: Ai që angazhohet në rrugën e Allahut, si shpërblim do të bekohet për gjetjen e rrugës së drejtë, ose atij i lehtësohet udhëzimi. Allahu ka thënë: “E sa i përket atij që jep dhe ruhet, (5) Dhe vërteton bindshëm për më të mirën, (6) Ne do ta përgatisim atë për më të lehtën.” [El-Lejl: 5-6]

Madje, aq më shumë që angazhohesh, aq më shumë udhëzohesh.  Allahu kështu na mëson: “Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre u shton edhe më udhëzimin në rrugën e drejtë dhe u ofron mundësi të jenë edhe me të matur.” [Muhammed: 17]

Angazhimi ynë, para së gjithash, duke iu referuar ajetit 67 nga kaptina Ankebut, duhet të jetë në:

1) Pendimin e sinqertë

Xhunejdi ka thënë: “Kush pendohet, Allahu do ta udhëzojë në rrugët e sinqeritetit.”

2) Veprimin në përputhje me fenë

Feja ka rregulla dhe kritere të cilat duhet përfillë dhe të cilat na udhëzojnë në rrugën e vërtetë. “…Keni frikë All-llahun se All-llahu ju dhuron dituri…” [El-Bekare: 282] Abbas bin Ahmedi ka thënë: “Ata që veprojnë sipas asaj që dinë, do t’i udhëzojmë (do tua mësojmë) edhe për atë që nuk e dinë.”

3) Luftimin e veseve të liga, epshit, djallit, materializmit, gjëra këto që nga dijetarë të mëdhenj janë klasifikuar si pengesat kryesore të ndryshimit

Ibn el-Kajjim ka thënë: ‘Besimtari me udhëzimin më të përkryer është ai që është më shumë i angazhuar në luftë ndërsa lufta më e kërkuar është lufta ndaj nefsit, epshit, djallit dhe dynjasë. Kush e orienton luftën në këto katër fronte, Allahu do ta udhëzojë në rrugët e kënaqësisë së Tij të cilat të shpijnë drejt e në Xhennet.

Natyrisht, krahas kësaj nuk duhet harruar edhe lutjen, e cila është mjet mbështetës i fuqishëm në udhëzim. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] na nxit në këtë rrugë duke cituar Allahun: “O robërit e Mi! Ju të gjithë jeni të pa udhëzuar, përveç atyre që Unë i kam udhëzuar, andaj, kërkoni udhëzim që t’iu udhëzoj!”[1]

Porosia: Angazhohu sepse shpërblim është udhëzimi!

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Transmeton Muslimi.