Koha e Ardhshme 00:00

Mos përshpejtimi i rezultateve

Mos përshpejtimi i rezultateve

Procesi i ndryshimit nuk është diçka që ndodhë brenda një nate. Ndryshimi nuk është formal por thelbësor dhe kjo nënkupton se duhen ndërruar bindjet, parimet, sjelljet. Kjo nënkupton se për të ndryshuar duhet kohë. Përshpejtimi i procesit minimizon suksesin e ndryshimit. Përshpejtimi nënkupton ndryshimin pa e analizuar gjendjen dhe pa shikuar në rezultatet përfundimtare. Për këtë shkak, ngutia, si veti, është e urryer. Njeriut i është parë si e metë kjo cilësi: “Njeriu nga vet natyra e tij është i ngutshëm,…” [El-Enbija: 37]; “…njeriu (nga vetë natyra e tij) është i ngutshëm.” [El-Isra: 11] Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Maturia është prej Allahut ndërsa ngutia prej djallit.”[1]

Procesi i ndryshimit kërkon lëvizje me maturi. Kjo garanton sukses. Zaten, është thënë: “Kush ec ngadalë, ec sigurt dhe gjatë.” Është pikërisht kjo që na duhet. Ndryshimi është i gjatë dhe, po shpejtuam, gabojmë. Ebu Hatimi ka thënë: “Kush ngutet flet pa ditur, përgjigjet pa kuptuar, lëvdon pa provuar, nënçmon pasi që ka lëvduar, merr vendim pa u menduar, dhe vepron pa marrë vendim më parë.

Në fakt, ka momente kur duhet shpejtuar dhe kjo në procesin e ndryshimit ka ndodhur në fillim, atëherë kur është vendosur për tu larguar nga rruga e gabuar. Ibn el-Kajjim ka thënë: “Pendimi nga mëkati është obligim që nuk duhet shtyrë asnjë moment…” Kështu, gjatë procesit në vijim lipset maturi, dhe, për tu siguruar se nuk kemi përshpejtuar, si tregues mund të aplikojmë metodat në vijim:

  1. Meditimi rreth pasojave të ngutisë dhe përshpejtimit.
  2. Meditimi i vazhdueshëm i Librit të Allahut, Kur’anit, dhe Sunnetit të Profetit Muhammed [Paqja qoftë mbi të!], burime këto që na ofrojnë këshillat dhe udhëzimet më të mira për të vepruar me maturi.
  3. Konsultimi me njerëz të ditur, qoftë për të marrë mësim nga përvojat e tyre, qoftë për të përfituar nga dija dhe këshillat e tyre.

Porosia: Maturia është tipar i besimtarit!

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Transmeton Bejhakiu në Es-Sunen el-Kubra (10/104) ndërsa Albani në Sahihu-l-xhamii, nr. 3011, e cilëson hasen.