Mos e rreziko ndryshimin

Dëshira për të kompensuar të kaluarën duke shfrytëzuar përtej mundësive të tanishmen është gabim që rëndom vërehet në fillim të procesit të ndryshimit. Sikur përshpejtimi, edhe ngarkimi i vetes me çka nuk mundesh, ka pasojat e veta, respektivisht rrezikon procesin e ndryshimit në tërësi. “Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive që ka…” [El-Bekare: 286], andaj “Angazhohuni me punë që mund t’i kryeni.”[1] Ndryshe, ngarkimi i vetes me punë të shumta, shpejt shuan entuziazmin dhe sjell lodhjen e monotoninë, e për fund, si pasojë, edhe braktisjen e veprave. Allahu nuk kërkon të ngarkojë robërit me çka nuk munden dhe nuk ka dëshirë që feja e Tij të paraqitet e vështirë. “…All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju….” [El-Bekare: 185]; “…dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi…” [El-Haxh: 78].

Për këtë shkak, duhet angazhuar me veprat që mund t’i kryejmë dhe këtë në vazhdimësi. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Vepra më e mirë tek Allahu është ajo që kryhet sistematikisht, edhe nëse nuk është (në sasi) e madhe.”[2] Është pikërisht kjo që kërkohet tani në procesin e ndryshimit: të angazhohemi pandërprerë por jo aq sa na shkakton lodhje a montoni e që më pas mund të ketë për pasojë braktisjen e veprave. Ibn Tejmije ka thënë: “Projekti i kërkuar dhe të cilin e duan Allahu dhe i Dërguari i Tij [Paqja qoftë mbi të!është maturia/racionalizmi në adhurim.” Ndryshe, vazhdon Ibn Tejmije, adhurimet që të pasivizojnë dhe ta pamundësojnë kryerjen e obligimeve tjera, si p.sh. agjërimi i shumtë vullnetar që të pamundëson të punosh, bëhet i ndaluar.

Imam Gazaliu [Allahu e mëshiroftë!] sjell një shembull interesant se si duhet kuptuar këtë qasjen ‘pak por në mënyrë të vazhdueshme.’ Ai thotë se kjo mënyrë adhurimi nuk duket që jep efektet që në fillim ama ajo i ngjan ushtrimeve fizike që ditë pas dite fillojnë të reflektojnë në trupin e njeriut. Kështu është puna edhe ma adhurimin, nuk duhet nënvlerësuar asnjë adhurim.

Nëse këtë e marrim dhe e zbërthejmë në rrafshin tonë, i bie që ne adhurimin ta shndërrojmë në adet, adet siç përmendëm në këshillën e pestë, pra diç me të cilën mishërohemi dhe pastaj nuk na vjen vështirë ta kryejmë.

Çfarë të bëjmë?

  1. Përcaktohu për punë të lehta që mund të kryhen sigurt e pa ndonjë vështirësi. P.sh. të falësh rregullisht namazin e duhasë nga katër rekate, të falësh rregullisht namaz nate 2-4 rekate, pra ato që mund t’i kryesh pa ndonjë lodhje të madhe.
  2. Bëhu i vendosur që kur t’i rrekesh një pune, ta kryesh pa mëdyshje. Ka qenë traditë e Profetit Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] që punët e përzgjedhura t’i kryej përherë.[3]
  3. Ta ruash kohën kur ke vullnet për adhurim. Pra, të mos e ngarkosh veten shumë që ta kryesh vetëm sa për ta hequr qafe.
  4. Përkushtoju pastrimit shpirtëror dhe dije se ai është bazë ndërsa vepra jo. ‘Askënd vepra nuk mund ta fut në Xhennet…’[4] Kjo nuk nënkupton ta braktisim veprën fillimisht, jo, vepra është shkak, por ajo që vulosë shpëtimin është pastrimi i shpirtit ose ato që në fjalorin fetar i njohim si vepra të zemrës.

Porosia: “Vepra më e mirë tek Allahu është ajo që kryhet sistematikisht, edhe nëse nuk është (në sasi) e madhe.”[5]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[3] Muslimi, nr. 1579.
[4] Kjo thënie është pjesë e shkëputur e një hadithi profetik të transmetuar nga Buhariu.
[5] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.