Mos e harro familjen

Respekti më i madh i besimtarit duhet të jetë për familjen, prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët. Prindërit janë ata, respektimi për të cilët ka ardhur paralel me respektimin për Allahun. “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese).” [El-Isra: 23]

Një besimtar i devotshëm është gjithsesi edhe enjë bashkëshort i sjellshëm, veçmas kur Allahu e urdhëron me një gjë të tillë: “…Çoni jetë të mirë me to…” [En-Nisa: 19]; “…Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi,…” [El-Bekare: 228]

Pra, e drejta e bashkëshortes duhet të kihet parasysh, sidomos e drejta për trajtim dinjitoz, ngase “…ato kanë marrë prej jush një besë të fortë?” [En-Nisa: 21] Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!], në Hutben Lamtumirëse ka thënë: “Iu porosis të jeni të mirë me bashkëshortet sepse i keni marrë me amanet prej Allahut…”[1]

Për këtë shkak obligimi i parë i njeriut është karshi familjes, sikur që shpërblimi më i madh që e fiton është ai për mirësjelljen me familjen. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!]: ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i sjellshmi me familjen ndërsa unë jam më i miri sepse jam më i sjellshmi me familjen time!”[2]; “…paraja me shpërblimin më të madh është ajo e shpenzuara për familjen.”[3] “Kur njeriu shpenzon për familjen ndërsa llogarit në të tek Allahu, i konsiderohet lëmoshë.” [4]

Por nuk është vetëm detyra materiale ajo duhet përmbushur karshi familjes. Më parë duhet përmbushur edhe obligimet morale, respektivisht duhet kujdesur për edukimin e tyre. Një prind nuk i ka dhuruar një fëmije dhuratë më të çmuar se edukata e mirë![5] Allahu na e ka përkujtuar në Kur’an detyrimin moral që kemi karshi familjes. “O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit,…” [Et-Tahrim: 6]: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë,…” [Taha: 132] “Ju të gjithë jeni mbikëqyrës dhe secili do të jep përgjegjësi për atë që i është dhënë në mbikëqyrje.”[6]

Natyrisht, jo çdo gjë në familje shkon perfekt, por, sido që të jetë, ‘dora jote është e jotja, edhe nëse është e paralizuar’- thotë një proverb arab. Kështu, nëse tek familja hasim ndonjë gjë të keqe, duhet të kemi durim dhe ta largojmë me urtësi. Në fakt, ka çdoherë diç, posaçërisht tek gruaja, që zë nxit të mbash lidhjet me të e ta respektosh. “Besimtari nuk e urren besimtaren; nëse nuk i pëlqen një moral i (traditë, sjellje e) saj, i pëlqen morali tjetër.”[7] Nëse nuk i pëlqen një sjellje, ka diç tjetër që i pëlqen: fetaria e saj, bukuria, butësia, apo diç tjetër.[8]

Porosia:  Më i miri prej jush është ai që është më i sjellshmi me familjen… [9]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

Video e realizuar nga: Albunion Media

[1] Transmeton Muslimi.
[2] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh.
[3] Transmeton Muslimi.
[4] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[5] Kjo thënie i atribuohet Profetit [Paqja qoftë mbi të!] ndërsa është hadith i dobët. Megjithëkëtë, domethënia e saj është e pranuar. Shih: Daifu-l-Xhamii, nr. 5227.
[6] Transmeton Muslimi.
[7] Transmeton Muslimi.
[8] Shih: El-Imam En-Nevevi, Sherhu Sahihi Muslim, 10/58.
[9] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh.