Mishërimi me të mirën

Njeriu është ajo që flet e vepron. Për këtë shkak, në procesin e ndryshimit, është me rëndësi të madhe të ndryshojmë sjelljet dhe karakterin në atë mënyrë që e mira të na bëhet imazh identifikues. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “E mira është traditë ndërsa e keqja është kryeneçësi dhe inat…”[1]

E mira nuk është formalitet por veprim i pandashëm i njeriut aq sa i bëhet rutinë dhe rrjedhimisht gjëja me të cilën njihet. Është si një fije e perit, e cili fillimisht është e dobët por me bashkimin me fijet tjera bën një litar të fuqishëm.[2] Fudajl bin Ijjadi, që sot njihet vetëm për devotshmërinë dhe asketizmin e tij, dikur njihej për të keq, madje, kur nënat donin t’i vinin fëmijët në gjumë, ua përmendnin Fudajlin si një gogol që do të vinte dhe do t’i merrte po nuk flenë. Sekreti i ndryshimit të tij ishte vepra: ai bëri vepra të mira derisa hoqi çdo identitet tjetër përveç saj.
Përmbajtja veprave të mira ka rëndësi jetike në mishërimin me to. Ato, fillimisht, na lehtësojnë të mirën, sepse duke i kryer vazhdimisht na bëhen shprehi. P.sh. dikush që vazhdimisht e fal namazin e sabahut, nuk e ka problem të zgjohet sepse tashmë është mësuar me këtë. Pastaj, të qenit i mirë i ka dobitë e shumta. Allahu i Madhëruar na mëson se besimtarët e dëgjueshëm i bashkëngjiten karvanit të njerëzve më të dalluar pikërisht për shkak të kësaj: “E kushdo që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!” [En-Nisa: 69] Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Njeriu do të vazhdojë të flet të vërtetën dhe të përkushtohet për të derisa të shkruhet tek Allahu si  folës i drejtë….”[3]

E mira reflekton në pamjen dhe dukjen tonë. Profetin Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] mjaftonte ta shikoje në fytyrë dhe të kuptoje se ai nuk është gënjeshtar. Kështu ka thënë Abdullah bin Selami, i cili ishte çifut e më pas, kur e pa Profetin Muhammed [Paqja qoftë mbi të!], pranoi Islamin.[4]

Që e mira të të bëhet shprehi:

  1. Bëhu i sinqertë në veprat dhe fjalët tua sepse atë që fsheh zemra Allahu do ta shpalos nëpërmjet shenjave të fytyrës dhe fjalëve të gjuhës.
  2. Bëje të mirën me paramendim sepse vetëm kështu mund ta bësh shprehi të kërkuar fetarisht.
  3. Mos nënvlerësimi i asnjë vepre të mirë, sado e vogël që të jetë, sepse për ne, ka rëndësi edhe nga kjo perspektivë, pra angazhimi i përhershëm me të mira.
  4. Braktisja e mëkateve sepse ato ndikojnë që njeriu të identifikohet me të keqen derisa ajo t’i bëhet shprehi.

Porosia: Bëje të mirën shprehi!

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Transmeton Ibn Maxheh ndërsa Albani e konsideron hasen.
[2] http://www.saaid.net/aldawah/t8.htm
[3] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[4] Transmeton Tirmidhiu, nr. 2485.