Merre mjaltin por mos e thyej kosheren

Për të patur raporte të mira me njerëz, fjalorit duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë. Allahu i Madhëruar na porosit: “…thoni njerëzve fjalë të mira…” [El-Bekare: 83.]

Fjalët e mira janë imazh i besimit të mirë. Fjalët e mira janë çelës i raporteve me të tjerët. Me to mund të robërosh mijëra zemra. Fjala e mirë nuk është e thjesht një ekzekutim elokuent i domethënieve. Ajo bëhet e mirë kur reflekton mirësi. Njëri nga të parët tanë, Jahja bin Muadhi, duke folur për rëndësinë e fjalës së mirë thotë: ‘Fjala e mirë është e mirë; më e mirë se ajo është domethënia e mirë; e më e mirë se domethënia është vënia e fjalës së mirë në praktikë.’[1]

Nga këtu, duhet kuptuar edhe mënyrën e se si e aplikojmë fjalën e mirë. Uji është i mirë por nëse e vë mbi varrë më shumë se që duhet, mund të shkaktosh infektim të rëndë, e për pasojë edhe vdekjen. Kjo na obligon që të kemi kujdes të shtuar me fjalën, në mënyrë që ajo të mos vret. Prej nesh kërkohet që këshillat të mos ua japim njerëzve në publik,[2] sepse kjo është ofenduese për ata. ‘Kush e mbulon besimtarin në këtë botë, Allahu do ta mbulojë në botën tjetër.’[3] Një njeri iu drejtua Ali bin Ebi Talibit: O Prijësi i Besimtarëve! Ke gabuar këtu e këtu, andaj të këshilloj të veprosh kështu e kështu…Aliu e shikoi dhe i tha: Nëse më këshillon, më këshillo kur jemi vetëm unë dhe ti, ndryshe, as për ju dhe as për veten time nuk mund të garantoj asgjë nëse më këshillon publikisht. Nuk përkon me karakterin e besimtarit fyerja dhe ofendimi. Fudajl bin Ijjadi ka thënë: ‘Besimtari mbulon (të metat) e këshillon, ndërsa i pandershmi zbulon të metat dhe nënçmon.’[4] Imam Shafiu duke refuzuar një sjellje të tillë recitonte:

Më këshillo kur jam në vetmi

E më kurse kur në shoqëri jam

Këshilla në publik është një lloj sharje

që ta dëgjoj dëshirë nuk kam

Nëse me mua nuk pajton dhe më kundërshton

Mos u shqetëso nëse tek unë respekt nuk gjen

Harun bin Xhemali rrëfen një rast me Imam Ahmedin, i cili i kishte ardhur vonë në mbrëmje në shtëpi dhe i kishte thënë: Të kam parë sot duke iu diktuar njerëzve hadithe, ti ishte nën hije ndërsa ata me lapsa dhe fletore në diell. Mos e bëj këtë. Nëse iu dikton hadithe, ulu me ta.

Duhet të shmangim kritikat e shumta dhe të shpeshta, sidomos kur njerëzit ndiejnë keqardhje për gabimet. Ndonjëherë njeriun mund ta mbërthejë inati e të reagojë keq ndaj një qortimi dhe kështu, në vend se të ndreqim, ne kemi prishur punë shumë. Nëse duam ta përmirësojmë dikë, para se t’ia përmendim gabimet, duhet t’ia përmendim të mirat, veçmas nëse kemi të bëjmë me ndonjë njeri me pozitë. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] kur foli për Ibn Umerin, respektivisht për atë se ai nuk falte namaz natën, tha: ‘Sa njeri i mirë që Abdullahu, sikur të falte edhe namaz nate!’[5] Pra, së pari ia përmendi të mirat, e më pas u mor me neglizhimin e namazit të natës nga ana e tij. Madje, nëse çështja trajtohet duke iu referuar këtij rasti, del se këtu nuk bëhet fjalë për gabim, por për diç të mirë që kishte Abdullahu dhe se Profeti [Paqja qoftë mbi të!] synonte ta bënte edhe më të mirë. Namazi i natës nuk është obligim, por duke qenë se Profeti [Paqja qoftë mbi të!] dëshironte ta shihte Abdullahun lart, atëherë i kërkoi të falte edhe namaz nate.

Krahas kësaj, kur të merremi me gabimet e njerëzve, duhet të kemi parasysh edhe një kriter tjetër: kalkulimin e të mirave dhe gabimeve. Nëse kanë të mira shumë, gabimet nuk iu përmenden. Profeti [Paqja qoftë mbi të!] na ka mësuar: ‘Burrave të mëdhenj faluani gabimet.’[6]  Dijetari i madh, Seid Musejjibi, ka thënë: ‘Nuk ka njeri fisnik, dijetar apo me autoritet  që nuk ka të meta, mirëpo ka prej njerëzve që nuk duhen përmendur të metat e tyre.’ Nëse duhet përmendur ndonjë të metë a gabim, atëherë bëje shkarazi, në mënyrë të tërthortë. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] nuk përmendte emra. ‘Çfarë është puna me disa njerëz që veprojnë kështu e ashtu’[7]- thoshte ndërsa nuk përmendte emrin e askujt.

Porosia: ‘Besimtari mbulon (të metat) e këshillon, ndërsa i pandershmi zbulon të metat dhe nënçmon.’[8]

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

Video e realizuar nga: Albunion Media

[1] Këtë thënie e ka përmendur Hoxha Muhammed Ratib Nabulsi në një prej ligjëratave të tij me titull: Disa urtësi të Jahja bin Muadhit. http://www.nabulsi.com/blue/ar/te.php?art=3907
[2] Thënia nga dijetari Muzenijj. Shih: Hiljetu-l-Eulija, 9/140.
[3] Hadith profetik.
[4] Xhamiu-l-ulum ve-l-hikem, fq. 77.
[5] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[6] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Silsiletu-s-Sahihah, nr. 683, e konsideron autentik.
[7] Hadith autentik. Shih: Sahihu Suneni Ebi Davud, nr. 4788.
[8] Xhamiu-l-ulum ve-l-hikem, fq. 77.