Koha e Ardhshme 00:00

Menaxhimi i kohës

Menaxhimi i kohës

Menaxhimi i kohës ka rëndësi të madhe në procesin e ndryshimit. Ajo ndikon drejtpërdrejtë në suksesin tonë, qoftë në kuptim të brendshëm, duke arritur të na shkarkojë nga presioni i angazhimeve të padobishme, qoftë në kuptim të jashtëm, duke na mundësuar të shtojmë produktivitetin tonë, të qëndrojmë më gjatë me familje, të vizitojmë të afërmit, të zhvillojmë ndonjë hobi, etj.

Për këtë shkak, në fe kohës i është kushtuar rëndësi e madhe. Mjafton si dëshmi fakti se Allahu është betuar në të: “Pasha kohën!” [El-Asr: 1] Ndërsa Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Dy mirësive shumica e njerëzve nuk ua dinë vlerën: shëndetit dhe kohës së lirë.

Koha dhe shfrytëzimi i saj tek të parët tanë ka qenë kryefjalë e suksesit. Umer bin Hattabi, që ishte Prijës i Besimtarëve, nuk flinte vetëm se pak. dikush i foli për këtë ndërsa ai tha: “Nëse flejë gjatë ditës, do të shkeli të drejtat e popullit, e nëse flejë gjatë natës, do të shkeli të drejtat e Allahut.

Koha është llogaritur më e shtrenjtë se çdo gjë, është konsideruar vet jeta. Ibn Mes’udi ka thënë: “Nuk jam penduar për diç sikur për ditën që ka kaluar bashkë me një pjesë të jetës sime ndërsa unë nuk i kam shtuar veprat e mira në të.” Hasan Basriu ka thënë: “O njeri! Ti nuk je tjetër vetëm se ditë, kështu, sa herë që shkon një ditë, bashkë me të shkon edhe një pjesë e jotja.” Për këtë shkak, të parët tanë, siç na përcjell Hasan Basriu, ishin më kureshtarë për ta ruajtur kohën se ne që sot i ruajmë paratë.

Të parët jetën nuk e kanë llogaritur me vite por me suksese të arritura. Ibn Ata ka thënë se ndonjë njeri mund të jetojë gjatë por të ketë pak suksese, në ndërkohë që dikush jeton shkurt por korrë suksese të shumta.

Pra, e tëra varet nga mënyra se si menaxhojmë me kohën. Disa prej mënyrave se si mund ta menaxhojmë kohën dhe të përfitojmë prej saj janë edhe këto:

  1. Identifikimi i objektivave që dëshiron t’i realizosh në jetë, qofshin këto në afat të shkurtër, apo afat të gjatë, dhe përpilimi i një liste përkatëse për të përcjellë realizimin e tyre.
  2. Besimi në rëndësinë dhe dobinë e objektivave të përshkruara sepse kjo të motivon për realizimin e tyre.
  3. Përmbaju orareve dhe terminëve që të të mos ikë koha duke pritur ose duke humbur ditën fare.
  4. Shfrytëzo momentet që zakonisht ambicia dhe disponimi janë në pika të larta, p.sh. kohën pas namazit të sabahut, etj.
  5. Koordino kohën edhe për aktivitet sportive sepse ato të shkarkojnë nga presioni dhe të japin vullnet.
  6. Mos zvarritja e punëve dhe mos shtyrja e tyre për më vonë sepse ti kurrë nuk e di kur mund të të gjejë e nesërmja.

Porosia: Koha është si shpata, nëse nuk e pret, të pret ajo ty![1]

 

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Thënie e përcjellë nga Imam Shafiu.