Koha e Ardhshme 00:00

Ia vlen barra qiranë

Ia vlen barra qiranë

Rruga e ndryshimit është e vështirë por jo me pak shpërblim. Është rrugë të cilën e do Allahun dhe e vetmja që të siguron shpëtimin, andaj në këtë rrugë ia vlen barra qiranë.

  • Allahu tërë atë që ke humbur do ta kompensojë me më të mirë. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Nuk ndodhë të braktisësh diç për Allahun e të mos ta kompensojë atë Allahun me më të mirë.”[1]Nëse ke braktisur shoqërinë e keqe, Allahu do ta kompensojë me shoqëri të mirë; nëse ke braktisur dëfrimin në gjëra të ndaluara, Allahu do të bëjë ta përjetosh atë në adhurime, e kështu me radhë.
  • Dashuria e Allahut për ty, sepse, ush angazhohet në rrugën e Tij, Allahu e do. Ibn el-Kajjim ka thënë se kompensimi që i bëhet besimtarit që braktisë diç për Allahun është lloje të ndryshme, prej të cilave, më madhështoja është dashuria e Allahut, qetësimi i zemrës dhe rehatia e shpirtit me Të, pajtimi me caktimet e Tij…[2]
  • Përfundimi i mirë. Njeriu që ndryshon, vdes në gjendje adhurimi, dhe, siç na ka mësuar feja, ashtu siç vdesim, ashtu ringjallemi.
  • Mundi yt shpërblehet. Allahun thotë: “E kush e ka për qëllim botën tjetër, duke qenë ai besimtarë, përpiqet për të ashtu si i takon asaj, angazhimi i tyre do të jetë i pranishëm (te Zoti).” [El-Isra: 19]
  • Shpërblim është shpëtimi nga zjarri, dhe jo vetëm. Për atë që ka duruar në këtë botë në rrugën e Allahut shpërblimi do të jetë që të gjitha dhimbjet, mundimet, problemet e dynjasë të harrohen me vetëm shikimin në Xhennet, e lëre më me hyrjen në të dhe dëfrimin me të mirat e tij. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë:  “Në Ditën e Kiametit do të sillet njeriu që ka qenë më i begatuari në dynja por që e ka mohuar Allahun, do të zhytet për një moment në zjarr dhe do t’i thuhet: A ke përjetuar ndonjë të mirë në dynja? Kurrë- do të thotë. Pastaj do të sillet njeriu që ka vuajtur më së shumti në dynja, por që ka besuar, do të zhytet për një moment në Xhennet dhe do t’i thyhet: A ke përjetuar ndonjë të keqe në dynja? Kurrë, o Zoti im!- përgjigjet.”[3]E sheh, tërë mundimi për të qëndruar në këtë rrugë harrohet me të parë Xhennetin, e si është puna kur të hysh në të, të dëfrehesh me mirësitë e tij, të shijosh të mirat që Allahu ka përgatitur për besimtarët, dhe jo vetëm kaq, ta takosh Allahun. “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). (22) Që Zotin e tyre e shikojnë.” [El-Kijame: 22-23]

E sheh se ia vlen ndryshimi!

PorosiaNuk ndodhë të braktisësh diç për Allahun e të mos ta kompensojë atë Allahun me më të mirë.”[4]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Hadith autentik. Shih: Es-Sahihah, 2/734.
[2] Shih: El-Fevaid, fq. 107.
[3] Transmeton Muslimi.
[4] Hadith autentik. Shih: Es-Sahihah, 2/734.