Fali, toleroji dhe justifikoji njerëzit

Falja është tipar i njerëzve të fortë. Në Kur’an, Allahu ka klasifikuar si tipar me të cilin dallohen besimtarët: “Të cilët japin lëmoshë kur janë në lumturi edhe kur janë në vështirësi, që fshehin zemërimin, e ua falin fajet njerëzve. Se Allahu i do bamirësit.” [Ali Imran: 134] Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] na mëson se falja është fuqia me të cilën njeriu mund të tjerët. ‘I forti nuk dallohet në mundje (dyluftim); i fortë është ai që përmban veten gjatë hidhërimit.’[1] Nga këtu është thënë se falja është hakmarrja më e madhe. Është moral i myslimanit që të mbajë lidhjet me atë që e ka lëçitur, ta falë atë që i ka bërë padrejtësi dhe t’i jap atij që nuk i ka dhënë.[2]

Besimtari nuk guxon të bjerë pre e provokimeve të injorantëve.  Është urdhëruar për mëshirë me njerëz dhe shmangie nga injorantët. Allahu ka thënë: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” [El-A’rafë: 199] Muxhahid bin Xhebr, në komentim të ajetit kur’anor ka thënë: “Duke pranuar justifikimet e njerëzve dhe duke mos gjurmuar e hulumtuar për sekretet e tyre.”[3]

Pra, duhet pranuar justifikimet, duhet ikur nga gjurmimi i të metave të tyre dhe duhet kthyer shpinën injorantëve, respektivisht duhet ikur provokimeve të tyre.

Besimtari nuk guxon të ndajë mendim të keq për tjetrin. Mendimi i keq ose supozimi është pikënisja e prishjes së raporteve me të tjerët. Profeti [Paqja qoftë mbi të!] na ka porositur që t’i ikim supozimeve, paragjykimeve, për shkak se ato prodhojnë vetëm të këqija ose janë bazë e të këqijave.  “Kujdes nga supozimi sepse supozimi është të folurit më i pavërtetë-rrejshëm.”[4]

Muslimani, në vend të supozimeve dhe mendimeve të këqija, duhet të justifikojë njerëzit. Umer bin Hattabi ka thënë: “Njeriu më i mençur është ai që justifikon më së shumti njerëzit.”[5] Po kështu ka thënë: “Nëse të transmetohet ndonjë fjalë nga vëllai yt, pavarësisht se çfarë fjale është ndërsa ka hapësirë që të komentohet për të mirë, atëherë komentoje!” Abdullah Ibni Mubareku thoshte: “Besimtari kërkon justifikime për vëllanë ndërsa hipokriti shkelje dhe gabime.”

Një rregull tjetër islam që kemi nevojë ta aplikojmë për raporte të mira me njerëz, e që në fakt shpërfaq një imazh tjetër të madhështisë së personalitetit mysliman, është edhe ai i harresës dhe pavëmendjes, harrimit të së keqes që ta ka bërë dikush, shtirjes sikur nuk dëgjon gjërat që po reagove për to mund të vjen deri tek ndonjë e keqe. Është e kundërta e hipokrizisë sepse, nëse hipokrizia të bën që të harrosh të mirat për shkak të një të keqeje, ky moral synon të të vetëdijësojë që të harrosh të keqen shkak i të mirave. Tegafuli është edhe –siç shprehet A’meshi- ai që shuan të këqija të shumta, pra është e kundërta e smirës, hasedit, inatit, mërisë, zilisë. Kjo ka bërë që Imam Ahmedi ta sheh këtë moral si më dominuesin në fushën e moralit të mirë. Thoshte: “9/10 e moralit të mirë janë në tegaful (shkujdesje, harrim i qëllimshëm).”

Është ai morali që paraardhësit tanë na e kanë përcjellë me pak fjalë por shumë origjinal: “Bëhu sikur nuk sheh dhe dëgjon.” Zaten, siç ka thënë Hasan Basriu: “Shkujdesja vazhdon të jetë sjellje dhe vepër e burrave të ndershëm.”

Bëhuni të shkujdesur ndaj ngatërrestarëve, provokuesve, të këqijave, që të bëheni të mëdhenj!

Porosia: Njeriu më i mençur është ai që justifikon më së shumti njerëzit.”[6]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

Video e realizuar nga: Albunion Media

[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] Hadith i transmetuar nga Bejhakiu.
[3] Medarixhu-s-Salikine, 2/290.
[4] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[5] Thealebiu, Et-temthilu ve-l-muhadaretu, f. 29.
[6] Thealebiu, Et-temthilu ve-l-muhadaretu, f. 29.