Koha e Ardhshme 00:00

Fal namaz nate dhe sillu mirë me njerëz

Dita e njëzetetretë e Ramazanit

Ajet kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne dhe, që të keqen, e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit.” (Kurani, 13:22)

 

Thënie profetike

I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ ka thënë:

“O njerëz! Jepni për të ngrënë, përhapeni selamin, ruani lidhjet farefisnore, faluni natën kur njerëzit flenë se do të hyni në Xhenet paqësisht.”

[E shënojnë Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi.]

Urtësi

Ibn Mesudi thotë: “Vlera e namazit të natës krahasuar me atë të ditës, është si vlera e lëmoshës së fshehtë në raport me atë që jepet haptazi.”

Do të falem kur t’i rregulloj disa probleme (!)

Ai që mendon të falet vetëm pasi t’i mbarojë problemet nuk do të falet kurrë, sepse problemet nuk kryhen, posa të mbarojë një problem shfaqet ndonjë tjetër. Prandaj falu e mos të të mashtrojë shejtani! Falu, sepse namazi është çelësi i rregullimit të të gjitha problemeve!

Këshillë

Fal namaz nate dhe sillu mirë me njerëz, që të arrish grada të larta në Xhenet!

 

Përgatitur nga:  Hoxhë Jusuf Kastrati /30ditët/