Koha e Ardhshme 00:00

Asnjëherë mos e harro qëllimin e krijimit

Dita e nëntëmbëdhjetë e Ramazanit

 

Ajet kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje, njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun dhe të cilët falin namazin dhe japin zekatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. (Këta shpresojnë) që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë e t’ua shtojë dhuntinë e Tij. Allahu i jep kujt të dojë, pa llogari.” (Kurani, 24:36-38)

 

Thënie profetike

I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ ka thënë:

“Namazi që falet me xhemat është njëzet e pesë herë më i mirë sesa namazi që falet në shtëpi ose në vendin e punës. Kjo është kështu, ngase kur njeriu e përkryen avdesin dhe niset për në xhami, me qëllim që ta falë namazin, për çdo hap që bën i ngrihet një shkallë dhe i fshihet një mëkat. Gjersa është në namaz, melekët pareshtur luten për të, duke thënë: “O Zot, mëshiroje atë!”, deri sa nuk e prish avdesin. Madje, konsiderohet se është në namaz edhe gjatë pritjes së vetë namazit.”

[E shënon Buhariu.]

Urtësi

Sufjan Eth Theuriu, lidhur me ajetin e mësipërm, thoshte: “Ata blinin e shisnin, mirëpo kjo shitblerje nuk i pengonte nga koha e namazit.”

Edhe puna është farz (!)

Nuk ka njeri në botë që punon 24 orë në ditë pandërprerë, ai patjetër se do ta lërë një kohë për të ngrënë, për të fjetur, për të kryer nevojat fiziologjike etj. E meqë është kështu, atëherë le t’i ndajë nga pesë minuta për të kryer namazin e detyrueshëm.

Këshillë

Qëllimi i krijimit të njeriut është adhurimi i Allahut, kështu që asnjëherë mos e harro qëllimin e krijimit e të shkujdesesh ndaj namazit, sepse do të pendohesh!

 

Përgatitur nga:  Hoxhë Jusuf Kastrati /30ditët/